Stafi kryesor

Unë jam Edlina, themeluesja e “Princi i Lumtur”. Rrugëtimi im si nënë më bëri të kuptoj sa e rëndësishme është që fëmijët të rriten në një ambient të sigurt, të dashur dhe edukativ. Nga kjo dëshirë lindi “Princi i Lumtur” – një hapësirë e krijuar me kujdes, ku fëmijët mësojnë, socializohen dhe zhvillohen në mënyrën më të mirë. Me një ekip të kualifikuar dhe ambiente të menduara posaçërisht për ta, ne ofrojmë një përvojë të plotë që kombinon edukimin, argëtimin dhe zhvillimin personal.

Drejtoresha Didaktike Jam Fëllënxa Binaj, drejtoresha didaktike e kopshtit "Princi i Lumtur" që në vitin 2020. Jam edukatore me eksperiencë të gjatë në fushën e arsimit dhe drejtimit. E dua punën, i dua edhe fëmijët e kopshtit "Princi i Lumtur". Motoja ime: "Në këtë botë bëj mirë, se e mira të kthehet mbrapsht njëqindfish".

Edukatore e grupit “Pemishtet” Unë quhem Ana Maria dhe jam 39 vjeç. Jam edukatore për fëmijët 4-5 vjeç. Me formim në Qendrën Profesionale “Don Bosko” për Animator Social, Pedagogji. Kam një eksperiencë pune si edukatore e akredituar prej 10 vitesh, me kualifikime dhe trajnime të certifikuara nga VME. Punoj këtu që prej vitit 2012. Motoja ime: Dija nuk ka fund. Që të jemi mësues të mirë, duhet të jemi nxënës të përjetshëm!

Edukatore e grupit “Fidanishtet” Unë quhem Afërdita dhe jam diplomuar në degën Infermieri-Mami. Kam një eksperiencë pune si infermiere në spital prej pesë vitesh. Te “Princi”, unë merrem me edukimin dhe përkujdesjen e fëmijëve të moshës tre dhe katër vjeç. Motoja ime në punë është: Me përkushtim mund të arrihet gjithçka!

Edukatore në grupin e çerdhes “Bebushat” dhe “Filizat” Unë quhem Esmeralda dhe jam 37 vjeç. Punoj këtu që nga viti 2015. Detyra jonë është e rëndësishme për shoqërinë dhe fisnike, prandaj për mua çelësi është edukata. Nëse ne sillemi mirë dhe me dashuri, fëmijët do të ndjekin po këtë model. Motoja ime në punë është: Durim dhe vëmendje!

Infermiere, Edukatore në çerdhe Unë jam Ana dhe jam 39 vjeç. Jam diplomuar në degën Infermieri-Mami. Kam një eksperiencë gjashtë-vjeçare në Pediatrinë Infektive dhe katër-vjeçare te “Princi” ku ushtroj edhe profesionin tim edhe atë të edukatores. Shumë fëmijë kur artikulojnë për herë të parë fjalë thonë “ Ana “- madje edhe babit në shtëpi i thërrasin “ Ana. Motoja ime: Dashuria është gjithçka!

Edukatore në grupet e çerdhes “Bebushat” dhe “Filizat” Unë jam edukatore Valbona dhe jam 39 vjeç. Punoj te “Princi” që nga viti 2012. Edhe më parë kam punuar si edukatore, prandaj për një kujdes sa më të mirë të fëmijëve kam ndërthurur vitet e mia të eksperiencës me metodat e reja europiane të edukimit. Motoja ime është: Fëmijët janë e ardhmja!

Jam Besmira, jam 35 vjeç, e martuar me 3 fëmijë. Kam mbaruar Shkollën Pedagogjike, aspiroj të marr titullin “mësuese e kualifikuar”. I dua fëmijët, jam e vëmendshme dhe e përkushtuar. Motoja ime është që “Unë nuk jam e zonja të bëj gjëra të mëdha, por gjërat e vogla i bëj me dashuri të madhe”- shprehje të cilën e kam huazuar nga e madhja Nënë Tereza, të cilën e kam idhul dhe frymëzim në jetë.

Mesuese Edlira Lesko Quhem Edlira, jam 55 vjeç. Ndihem e lumtur që punoj me fëmijët e vegjël, të klasës parashkollore në kopshtin “ Princi i Lumtur”. Fëmijët më japin frymëzim, ata janë bekim. Si mama e tre vajzave, tashmë edhe gjyshe e dy nipërve, ndihem një grua e realizuar si në jetë, edhe në profesion. Sfidat dhe kënaqësitë e jetës i kam mirëpritur. E dashuroj shumë punën, fëmijët më japin kënaqësi, lumturi, jetë. Motoja ime është: “S’ka lumturi më të madhe se ajo e fituar nga dashuria e një fëmije”.

Kuzhuniere Ardjola Jam Ardjola. Kam lindur ne vitin 1992. Kam 2 vajza. Pres vetem te mira nga jeta. Jam natyre optimiste. Megjithese kam humbur bashkeshortin, mundohem t’i rris dhe edukoj vajzat e mia me kulture dhe dinjitet. Dua te jene te lumtura. Ne kopshtin “ Princi i Lumtur “ me solli “Zyra e punes”. Kam mbaruar shkollen per kuzhine. Motoja ime:” Optimizmi eshte sekreti i lumturise “
